Policia me aksion në Prizren, gjobitë shkelësit e masave anti-COVID

Policia me aksion në Prizren, gjobitë shkelësit e masave anti-COVID

Policia e Kosovës të premten ka zhvilluar një aksion në disa lokale të Prizrenit, ku ka shqiptuar 68 gjoba për shkelësit e masave kundër përhapjes së Coronavirusit, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për medie, gjatë këtij aksioni po ashtu janë shqiptuar katër fletë-paraqitje për gastronomët të cilët nuk e kanë respektuar orarin e punës.

Aksioni është zhvilluar në disa pjesë: në lagjen Arbana, në rrugën “Beteja e Pashtrikut” dhe në rrugën “Ismail Kryeziu”, në fshatin Korishë dhe në Landovicë.

“Por, policia gjatë kontrollit në këto lokale ka gjetur edhe 16 puntore-valltare shtetase të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë qenë duke punuar pa dokumentacion të rregullt. Për këtë policia ka sekuestruar dokumentet dhe ka njoftuar Njësinë për Migrim dhe të Huaj”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të ditur se për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i Shtetit./Insajderi.com