Policia e Kosovës njofton se mëngjesin e kësaj të marte ka realizuar një operacion në veri të vendit, me ç’rast ka kontrolluar tri lokacione të ndryshme, por nuk ka hasur në personat që po i kërkonte.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar me autorizimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
“Si rrjedhojë e hetimeve për rastin e ndodhur me datën 20 shkurt 2022 në Mitrovicë Jug, ku dyshohet për veprat penale: ,”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe “Armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës”, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, kanë siguruar informacione se të dyshuarit janë duke u fshehur në tri lokacione të ndryshme, lokacione këto në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë (DRP) Mitrovicë Veri”.
Gjatë kontrollit në njërin prej lokacioneve, hetuesit bëhet e ditur se kanë gjetur një pushkë automatike, dy fishekë, një radio për komunikim “Motorola”, sasi të substancave narkotike si dhe katër aparate për kriptovaluta.
“Të gjitha gjësendet e gjetura janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Në lidhje me provat materiale, në cilësi të personit të dyshuar është duke u intervistuar një person mashkull kosovar”.
Në konsultim me prokurorin, rastet: “Armëmbajtje pa leje” dhe “Posedim i substancave narkotike” do të hetohen nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ndërsa aparatet për kriptovaluta janë konfiskuar nga ana e njësive të DRP Mitrovicë Veri, e cila drejtori edhe do të procedojë tutje më këtë rast./SHQIP.com