Policia e Kosovës ka demantuar vendosjen e flamurit serb në Kullën e Vrojtimit në Koshare, njofton Insajderi.
Pas publikimit të një fotografie ku shihet ky flamur i vendosur midis disa flamujve të tjerë kombëtarë, e që ngjalli reagime të shumta, Policia thonë se ekipet e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo flamur të tillë nuk ka pasur në Kullën e Vrojtimit.
“Lidhur me disa shkrime në median serbe ‘Blic’ por edhe në rrjete të ndryshme sociale, se gjoja një flamur i Serbisë është vendosur në kullën e vrojtimit në Koshare, ju konfirmojmë se Policia e Kosovës demanton shkrime të tilla që kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve dhe ju njoftoj se njësitet kompetente policore për menaxhimin dhe kontrollin kufitar të Republikës së Kosovës janë duke kryer detyrat dhe patrullimet e rregullta edhe në atë lokacion. Sipas raportimeve aktuale nga njësitet policore kufitare dhe verifikimeve nga ai lokacion një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme në vend, përfshirë edhe menaxhimin dhe kontrollin kufitar sipas mandatit të saj ligjor dhe kushtetues. Në vijim po ju përcjellim edhe fotot nga lokacioni i apostrofuar te datës 13.06.2021”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.
Fotografia me flamurin e vendosur në këtë kullë është postuar në një profil në Instagram, derisa lajmin e ka publikuar edhe mediumi serb Blic.
“Flamuri i vërtetë në kullën e vrojtimit”, shkruhet poshtë fotografisë së postuar.
Ndërkaq Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtë akt e kanë quajtur provokim për të gjithë shqiptarët.
Ata kanë kërkuar nga Qeveria reagim sa më të shpejtë.
“Për luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e të rënëve për liri, kjo është një fyerje e rëndë nga Serbia në prag 22-vjetorit të Çlirimit, me faktin se një gjë e tillë ndodh shumë afër varrezave, ku pushojnë Heronjët e Brigadës 138 Agim Ramadani. Qeveria e vendit, organet e sigurisë, të marrin masa që të ndalen përgjithmonë këto dukuri të shëmtuara dhe që fajtorët të dënohen. Në të kundërtën çfarë na mbetet ne? Të heqim dorë edhe nga kjo shtetësi që e kemi, pasi që as në shtetin që e ndërtuam vet, nuk ndjehemi më të sigurt”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com