Policia mohon të ketë pranuar ndonjë ankesë për “maltretimin psikik” të veteranit të UÇK-së

Policia mohon të ketë pranuar ndonjë ankesë për “maltretimin psikik” të veteranit të UÇK-së

Policia e Kosovës ka sqaruar rastin e djeshëm në Graçanicë, ku një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndaluar nga njësitë policore të komunikacionit.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Lustës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë mbrëmjes së djeshme kishte thënë se veterani Naim Beqiraj, është maltretuar psiqikisht nga Policia e Kosovës në stacionin policor në Graçanicë.

Sipas tij, Beqiraj është fyer vetëm pse është veteran i UÇK-së dhe është i pajisur me librezë të OVL-së, për çka ka kërkuar nga organet kompetente të merren me rastin.

“Është një fyerje e rëndë dhe turp i madh që i është bërë veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Beqiraj nga policia e Kosovës të stacionit policor të Graçanicës të cilin e kanë maltretuar psiqikisht vetëm pse është veteran i UÇK-së dhe është i pajisur me librezë të OVL-së, ne kërkojmë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës të merren me rastin në fjalë dhe të marrin masa ndaj policëve të cilët e kanë maltretuar Naimin”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar Zyrën për Informim të PK-së, për një shpjegim të këtij rasti.

Nga policia thonë se personit në fjalë, rreth orës 01:00 të datës 19 gusht, i është shqiptuar gjobë për kundërvajtje në trafik.

Mirëpo, nga ana e tij nuk ka pasur asnjë ankesë që është paraqitur në polici.

“Në të gjitha rastet (edhe në këtë rast) ku mund të paraqitet ndonjë lëshim eventual nga zyrtarët policorë, ftojmë palën që shqetësimet t’i adresojë në institucione kompetente”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë për Insajderi-n. /Insajderi.com