Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, shkruan Insajderi.
Për këtë incident, Policia, ka thënë për Gazetën Online Insajderi, se ka kryer veprime hetimore në koordinimin me Prokurorin e Shtetit dhe më 24 shkurt 2021, ka përcjell rastin në prokurori me kallëzim penal ndaj Bulliqit.
“Ju njoftojmë se Policia për këtë incident ka iniciuar rastin, Lëndim i lehtë Trupor dhe në koordinim me Prokurorin e shtetit, ka kryer veprimet hetimore. Rasti është proceduar në Prokurori me datën 24.02.2021 me kallëzim penal, për çdo informatë shtese ju lusim t’i drejtoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë.” – thuhet në një përgjigje nga policia e Kosovës.
Ky rast tashmë është duke u trajtuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Lidhur më këtë Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar edhe me zyrtarën për informim në Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila ka konfirmuar aktakuzën.
“Referuar kërkesës suaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se prokurori i çështjes ka ndërmarrë veprime procedurale në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Rasti është duke u trajtuar në Departamentin e Përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e saj./Insajderi.com