Një bombolë gazi shpërthej të martën në një restorant në Ferizaj, nga i cili mbetën të lënduar mbi 40 persona, njofton Insajderi.
Derisa gazetarët po raportonin nga Emergjenca e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku po trajtoheshin disa nga të lënduarit, në kamera u hap një burrë që shihet duke e goditur në kokë një grua, derisa po e nxirrte me karrocë nga spitali.
E për këtë rast, Policia e Kosovës, tashmë ka nisur hetimet dhe ka identifikuar personat e përfshirë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Referuar pamjeve në fjalë, policia menjëherë në përputhje me autorizimet saj ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes si dhe hetimit të rrethanave që karakterizojnë rastin.
Në kontekstin e kësaj menjëherë ka identifikuar palët, ka proceduar me intervisitimin e të njëjtëve dhe ka koordinuar veprimet e mëtejme me prokurorin e shtetit, për të nxjerrë në pah nëse ka elemente të veprës së inkriminuar”, ka thënë Ahmeti./Insajderi.com