Policia po e heton zjarrin në Zubin Potok

Policia po e heton zjarrin në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke e hetuar rastin e përhapjes së zjarrit në Qendrën e Regjistrimeve të Automjeteve në Zubin Potok, njofton Shqip.com.

Përmes një komunikate, PK ka njoftuar se sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet e ndërtesës dhe dyshohet se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.

Foto nga vendi i ngjarjes ku është shkaktuar zjarri

“Sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.

Zjarri u lokalizua rreth orës 02:00, dhe të gjitha njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në vend, si dhe Njësia Rajonale e Hetimit – Mitrovicë – Veri. Ne vend ngjarje doli Inspektori i Zjarrit (PPZ), për gjithçka që ndodhi u njoftua edhe Prokurori kujdestar. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se me këtë, Serbia po provon nxitjen e një konflikti serioz ndërkombëtar.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky është një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.

Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Shqip.com