Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Shtetit janë duke u marrë me rastin e deputetit Milaim Zeka, për të cilin Gazeta Insajderi ka publikuar aferën e mashtrimeve të 920 personave me viza punë në Gjermani.
“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në komunikatën e policisë.
Megjithatë, policia, përmes një kësaj komunikate ka thënë se nuk pajtohet me një pjesë të shkrimit ku e implikon këtë institucion në rastin e aferës së mashtrimit të deputetit Zeka dhe partnerit të tij në biznes, Ilir Krasniqi.
Në pjesën e katërt të hulumtimit Gazeta Insajderi ka përdorur një dokument me të cilin dëshmohet se si policia i ka lejuar qasje Milaim Zekës në të dhënat personale të Ilir Krasniqit, të cilat i ka përdorur për shantazh.
Por, Policia në të njëjtën komunikatë sqaron se dokumenti i përdorur nuk është dokument apo formë zyrtare që e përdorë policia.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe i siguron të gjithë qytetarët e saj se shkrimi i tillë i publikuar i cili u referohet informacioneve apo bisedave të palëve të përfshira në rast, ku kinse Policia e Kosovës u ka dhënë qasje në dokumente zyrtare, nuk qëndron, është i pavërtetë, qëllimkeq dhe tendencioz, pasi që fotografia, shenjat e gishtërinjve dhe nënshkrimi i publikuar nuk janë forma të cilat i posedon Policia e Kosovës”, thuhet në sqarimin e policisë.
“Policia e Kosovës rithekson dhe njëherit rikonfirmon se nuk ka asnjë informacion, dokumentacion apo dëshmi zyrtare që ndërlidhet me pjesën e shkrimit të publikuar në portale, dhe se Policia e Kosovës nuk lejon qasje të asnjë personi në dokumentacione apo lëndë zyrtare, përveç zyrtarëve kompetentë të autorizuar dhe të thirrur me ligj”, thuhet të tej aty.
Zeka i kishte thënë Krasniqit se ka qenë për katër orë në polici dhe e ka parë dokumentin me të cilin, sipas Zekës, po planifikohej arresti ndërkombëtar i Krasniqit.
“Unë sot jam thirr në polici për krime serioze. Katër orë më kanë marrë në pyetje. Edhe ma tregun këtë foto që ishin duke të shpall arrest ndërkombëtar”, i kishte shkruar Zeka ortakut Krasniqi./Insajderi.com