Policia: Procesi zgjedhor i qetë dhe pa incidente serioze

Policia: Procesi zgjedhor i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga ky institucion i gjithë procesi i sotëm zgjedhor ka shkuar i qetë dhe pa incidente serioze.

“Plani policor ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar tri (3) raste që ndërlidhen me zgjedhjet, por të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Prej tyre një (1) rast është evidentuar në Lipjan si ‘Pengim i procesit të votimit’, ku është arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

“Ndërsa dy (2) rastet tjera, një në Prizren dhe një në Fushë Kosovë, janë evidentuar ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’, ku me vendim të prokurorëve të dy rastet janë dërguar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje nga PK.

“Policia e Kosovës ka trajtuar ç’do informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor”.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor. /Insajderi.com