Policia: Protestuesit në Jarinje e Bërnjak kanë vendosur zhavorr

Policia: Protestuesit në Jarinje e Bërnjak kanë vendosur zhavorr

Qytetarët të cilët kanë bllokuar rrugën në afërsi të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat, të enjten kanë vendosur zhavorr, duke përforcuar bllokadat.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani për REL-in.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Për të kundërshtuar këtë vendim, në afërsi Jarinjes dhe Bërnjakut, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugën tash e katër ditë.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Deri tani, nuk ka pasur asnjë incident./Insajderi.com