Shoqërohen në polici 46 persona për vrasjet në Elbasan

Shoqërohen në polici 46 persona për vrasjet në Elbasan

Policia e Elbasanit ka shoqëruar për verifikim 46 persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për atentatin e mbrëmshëm në lagjen “Kras”, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë.

Mediat në Shqipëri raportojnë se  forcat speciale Renea, ato të ndërhyrjes së shpejtë dhe Policia e Elbasanit kanë bërë dhjetëra kontrolle në  banesa, në  Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd  e  Gramsh.

Po ashtu, janë  kontrolluar mbi 150  garazhe makinash në hyrje të pallateve si dhe janë ndaluar për verifikim dhjetëra automjete në akset brenda dhe jashtë Elbasanit.

Mbrëmjen e kaluar autorët e maskuar si policë hapën zjarr në drejtim të një lokali, duke lënë të vdekur Agron Çapjan 50 vjeç , Ardit Sinakolin 27 vjeç  dhe Eno Bedallin 38 vjeç . Tetë të plagosurit u transportuan në mbrëmje në spitalin e Politraumës në Tiranë me plagë të shumta në trup. Policia dyshon se bëhet fjalë për hakmarrje mes dy fiseve Çapja e Mema.

Në vendin e ngjarjes u gjetën dy armë  zjarri  automatike dhe 65 gëzhoja, ndërsa 500 metra larg lokalit u gjet dhe një tjetër armëm, që mendohet të jetë përdorur nga autorët./Insajderi