Policia e Kosovës ka shtyrë testin për avancim në gradën e togerit pas publikimit të skandalit me teste.
Në një email të Policisë së Kosovës, të siguruar nga Gazeta Insajderi dërguar rreshterëve, thuhet se testi i paraparë të mbahet me 2 mars shtyhet për më vonë duke mos e caktuar ndonjë datë.
“Ju informojmë se intervistat gojore dhe zgjidhja e skenarëve për gradën Toger e paraparë të mbahet nga 2 mars 2020 shtyhet për më vonë. Për datën dhe kohën e fillimit të intervistës gojore dhe zgjidhja e skenarëve për gradën toger do të jeni të informuar me kohë”, thuhet në emailin e policisë përcjell rreshterëve.
Disa media sot raporton se testi ku ishte paraparë që t’i nënshtrohen mbi 700 zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte fotografuar dhe shpërndarë.
Për këtë rast ka reaguar edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke akuzuar Partin Demokratike të Kosovës e cila ka futur kthetrat e saj në polici.
“Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së. Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t’u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike”, ka shkruar Bajqinovci.
Sipas tij “Si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral”.
Tutje Bajqinovci ka thënë se qeveria do ta analizojë shumë shpejt këtë gjendje dhe do të marr një vendim të duhur.
“Qeveria duhet të analizojë mirë gjendjen aktuale në polici dhe të marrë vendimet e duhura. Në polici s’kanë vend shkelësit e ligjeve dhe procedurave apo njerëz që e pengojnë meritokracinë. Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit dhe duhet të merren masa ndaj përgjegjësve”, ka shkruar Bajqinovci. /Insajderi.com
Skandal: Dështojnë masat e Policisë së Kosovës – testi për togerë fotografohet e shpërndahet