Policia e Kosovës përmes një reagimi public ka demantuar raportimet se njëri nga dy zyrtarët rusë të shpallur “non-grata” po qëndron në Prishtinë.
Sipas tyre, këto informacione janë të pavërteta.
“Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Ndaj, sipas policisë, të njëjtit që nga ajo datë nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, sipas PK-së, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës. Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, ka demantuar raportimet e mediave, ndërsa ka thënë se personi në fotografi nuk është Denis Vengerskii.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më 22 tetor se dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës ruse në Kosovë janë shpallur persona non grata (të padëshiruar).
Në arsyetim thuhej se “ata cenonin seriozisht sigurinë kombëtare”./Insajderi.com