“Politico”: Fshati i Kosovës që i frikësohet ndryshimit të kufirit me Serbinë

“Politico”: Fshati i Kosovës që i frikësohet ndryshimit të kufirit me Serbinë

Mediumi prestigjoz ndërkombëtar, Politico.eu i ka kushtuar një artikull të veçantë fshatit në Çabër të Komunës së Zubin Potokut, teksa është përhapur ideja e korrigjimit të kufijve; ide të cilën e ka shpalosur i pari presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Fshati Çabër, tek i cili është fokusuar mediumi Politico, është fshat i banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Zubin Potokut.

Politico raporton se shqiptarët të cilët gjatë viteve të luftës më 1998-99 ishin larguar nga shtëpitë e tyre, tash kanë frikë se mund të shpërngulen sërish nga shtëpitë e tyre.

“Kur njerëzit e këtij fshati në veri të Kosovës u kthyen në shtëpitë e rrafshuara nga forcat serbe në luftën e viteve 1998-1999, ata shpresonin të rindërtonin dhe të jetonin të sigurtë për të ardhmen”, shkruan Politico. “Tani ata kanë frikë se mund të detyrohen të largohen përsëri, me propozimin për ndryshimin e kufijve si pjesë e një zgjidhjeje të përhershme të paqes midis Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç e kanë paraqitur idenë si një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit të ngrirë mes dy vendeve.

Por kjo ide ka marrë shumë kritika, nga njerëz të cilët argumentojnë se do të destabilizonte Ballkanin duke i inkurajuar të tjerët për të nxitur ndryshimet kufitare.

“Ata shohin një rrezik të kthimit të dhunës së motivuar etnikisht që shkatërroi rajonin në vitet 1990”, shkruan Politico.

Për mediumin e njohur ndërkombëtar kanë folur edhe banorë shqiptarë të fshatit Çabër. Ata po ashtu kanë frikë se ideja për korrigjim të kufijve mund të rikthejë ndjesinë e vjetër që kishte lënë lufta.


Foto: Eleonor Rose

“Mund të rikthehen kujtime të dhimbshme,” thotë kreu i fshatit, Agim Hasani.

Fshati Çabër ishte në frontin e luftës, aq shumë e dëmtuar nga konflikti, saqë u kategorizua nga organizatat ndërkombëtare si fshati më i shkatërruar në Kosovë.

Për të lexuar shkrimin e plotë të mediumit Politico:

https://www.politico.eu/article/kosovo-border-changes-worry-caber-village-balkans-war-aftermath/?fbclid=IwAR3sl97n3V0rAkOJn5bdsOtOIzRl2msee4JE6VqKTv0t5RUF3mHkHYchBHY