fbpx

Politikanë dhe kolegë i dalin në mbrojtje gazetares Xharra

Politikanë dhe kolegë i dalin në mbrojtje gazetares Xharra

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, është kërcënuar përmes një mesazhi që i është lënë në hymjen e objektit të banimit, jashtë mureve të banesës së saj dhe në parkingun e saj.

Mesazhi ishte kryqe gjigante me ngjyrë të kuqe.

Lidhje me kërcënimet ndaj Xharrës kanë reaguar pos gazetarëve edhe fytyrat e rëndësishme nga skena politike si Atifete Jahjaga, Enver Hoxhaj, Lutfi Haziri, Vlora Çitaku dhe Mimoza Kusar-Lila.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar si të patolerueshëm kërcënimin ndaj Xharrës.

“Liria e fjalës është e drejtë themelore dhe e garantuar, ndërsa përpjekjet për ta sulmuar atë janë të shëmtuara”, ka shkruar ajo pos tjerash.

Përderisa Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në Facebook për kërcënuesit ka thënë se janë rreziku dhe llumi i kësaj shoqërie.

“Shpresoj që institucionet e rendit t’i sjellin para drejtësisë, e ne si shoqëri t’i refuzojmë e tua bëjmë të qartë që soji i tyre nuk ka vend këtu”, ka shkruar ajo.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar se kërcënimet ndaj Xharrës janë të papranueshme dhe jashtë çdo norme njerëzore, dhe se personat përgjegjës duhet të vihen sa më shpejt para drejtësisë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes reagimit të tij në rrjetin social Facebook e ka cilësuar kërcënimin si akt qyqar si formë kërcënimi e linçimi publik.

“Ka disa dekada shoqëria kosovare ka dhënë kontribut të madh për ndërtimin e shtetit qytetar, për respektim të të drejtave të njeriut, të fjalës së lirë, e të diversitetit dhe këtë askush nuk mundet me rrënu”, shkruan Haziri.

Edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përmes Facebook kërcënuesit ndaj Xharrës i ka cilësuar si qyqarë dhe të padenjë.

“Qyqarë dhe të padenjë janë ata që dërgojnë mesazhe të tilla dhe shkruajnë në errësirë, por errësirë e kanë mendjen e drita e fjalës së lirë i pengon”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ndaj këtij sulmi kanë reaguar edhe deputetet Teuta Sahatçia, Blerta Deliu-Kodra, deputeti shqiptar në Maqedoni, Artan Grubi dhe zyrtarë të tjerë të publicistikës dhe gazetarisë.