Politikanët kosovarë shmangin ambasadat, marrin pasaporta shqiptare

Politikanët kosovarë shmangin ambasadat, marrin pasaporta shqiptare

Një muaj para se komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, të vinte në Prishtinë për të thënë se nuk ka liberalizim të vizave për kosovarët së paku deri më 2020, tre politikanë të Kosovës morën shtetësinë shqiptare.

Sikur ta kishin parashikuar se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhte së shpejti, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kishin bërë kërkesë që të pajisen me pasaporta shqiptare.

Sipas dy dekreteve të lëshuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deputeti i PDK-së është pajisur me shtetësi shqiptare më 15 nëntor të këtij viti, ndërkaq dy ministrat më 20 nëntor.

Përmes këtij lloj dekreti të presidentit të Shqipërisë, shtetësinë e kanë marrë edhe shumë politikanë të tjerë të Kosovës.
Me pasaportë të Shqipërsië, ata nuk kanë nevojë as të shkojnë në ambasada për të aplikuar për vizë, e as për termine, pasi që për shtetasit e Shqipërisë nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian, shkruan Insajderi.

Në muajin prill të vitit të kaluar, shtetësinë shqiptare e morën edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe bashkëshortja e tij Anita, sikurse edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Më parë, pasaportën shqiptare e kishin marrë edhe tash lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të VV-së si Glauk Konjufca, Liburn Aliu e Hydajet Hyseni.

Me pasaportë shqiptare ishin pajisur edhe anëtarët e atëhershëm të VV-së, tash në PSD, si Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Visar Ymeri, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në korrik të 2017-ës, shtetësinë shqiptare e fituan edhe ish-zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi me bashkëshorten e tij.

Veç tyre, Shqipëria i dha shtetësinë edhe ish-kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, pastaj deputetit Arben Gashi të LDK-së, si dhe ish-deputetit të kësaj partie, Sabri Hamiti.

Edhe nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte pajisur me pasaportë shqiptare, sikurse këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Gazmend Abrashi.

Përveç politikanëve, shtetësinë shqiptare e kanë fituar edhe fytyra tjera publike në pozita të larta institucionale, siç është kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Ndërkohë që politikanët kosovarë pajisen me shtetësi të Republikës së Shqipërisë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha javën e kaluar se qytetarët e Kosovës nuk kanë kohë për të pritur liberalizimin e vizave dhe kërkoi që Shqipëria t’i pajisë ata me pasaporta.

Kohë më parë, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kërkuar nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, që t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës përshpejtimin e procedurave për pajisje me shtetësi shqiptare, kërkesë kjo që ishte refuzuar edhe nga Meta por edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /Insajderi.com