Politikanët serbë e njohin në këtë formë Republikën e Kosovës

Politikanët serbë e njohin në këtë formë Republikën e Kosovës

As Aleksandar Jabllanoviq e as Sllavko Simiq kurrë nuk kanë thënë publikisht se e pranojnë Republikën e Kosovës. Por, në letër dhe në teren dy politikanët serb nga Leposaviqi, njëri ministër dhe tjetri deputet, veprojnë ndryshe.

Ata ndaras në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë kanë deponuar kërkesat për ti regjistruar subjektet e tyre politike pas krizës dhe ndarjes mes vete.

Nga partia Lista Serbe, që dikur drejtohej nga Aleksandër Jabllanoviq, e së fundmi nga Sllavko Simiq, kanë dalë dy parti.

Simiq ka aplikuar në KQZ me emër të ri të partisë Iniciativa Qytetare Lista Serbe, derisa Jabllanoviq, ka mbajtur emrin e vjetër, njofton Klan Kosova.

Të dy kanë aplikuar në bazë të ligjit të shteti të Kosovës, edhe pse asnjëri nuk e kanë pranuar atë publikisht, përderisa fjala republikë nuk përmendet fare në programin e partisë së re të Simiqit.

Përderisa i shkarkuari, Jabllanoviq, në KQZ ka aplikuar për certifikim me partinë e quajtur Lista Serbe dhe në statutin e kësaj përmendet Republika e Kosovës.

Neni i parë i kësaj partie thotë:

Lista Srpska është organizatë politike e formuar sipas rregullave të përgjithshme dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, me qëllime të veçanta të përcaktuara me Programin e Listës Srpska të miratuar në Kuvendin Themelues të mbajtur me 06.04.2017 në Leposaviq.

Përgjigje përfundimtare dy aplikimet nga serbët për subjektet e tyre të reja politike pritet të marrin javën që vjen kur Këshilli për Çështje Ligjore do të japë rekomandimet e tij KQZ-së.