Njeriu i parë nga institucionet e Kosovës që vizitoi zyrtarisht Talat Xhaferin pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, është Avdullah Hasani.

Kur Talat Xhaferi u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, shumë politikanë nga Kosova e uruan atë dhe u shprehën të lumtur për zgjedhjen e tij në këtë post. E në mesin e këtyre politikanëve nuk ishte Avdullah Hasani, presidenti i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës(KREK).
As në faqen zyrtare të Avdullah Hasanit në rrejtin social Facebook, e as në faqen zyrtare të institucionit që ai drejton, KREK, nuk kishte urim për zgjedhjen e Xhaferit në postin e kryeparlamentarit të Maqedonisë.
Megjithëkëtë, njeriu i parë nga institucionet e Kosovës që vizitoi zyrtarisht Xhaferin, është pikërisht Avdullah Hasani.
Hasani që e quan veten president i KREK-ut përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook ka bërë të ditur se sot vizitoi Xhaferin në zyrën e tij në Shkup. Për Hasanin, zgjedhja e Xhaferit në krye të Parlamentit të Maqedonisë është dëshmi “se shqiptarët në këtë shtet janë faktor vendimmarrës.”
“Së bashku me ekipin tim, u prita zyrtarisht nga kryetari i ri historik i Kuvendit të Maqedonisë, TALAT XHEFERI. Ishte kënaqësi për mua dhe Këshillin të cilin unë e drejtoj, ta uroj z.Xhaferi për marrjen e detyrës se re”, ka shkruar Hasani.
Hasani ka njoftuar po ashtu se “Xhaferi na falënderoi për vizitën dhe kërkoi nga dy shtetet qe të rinjve t’u ofrohet hapësirë më e madhe”. /Insajderi.com