Ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri ditëve të fundit është shfaqur shumë active sa i përket komenteve për mundësinë e korrigjimit të kufijve.
Madje së fundi në një postim në rrjetin social facebook, ajo ka përmendur edhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet.
“Shqiptaret behen krejt me nje shtet, kur forcojme ekonomine dhe sundimin e ligjit, dhe jo duke dhene toka shqiptare. Edhe veriu i Kosoves edhe Lugina e Presheves jane toka shqiptare, nuk mund te shkëmbehen”, ka shkruar Tahiri rrjetin social facebook.
Reagimet e Edita Tahirit ndaj Thaçit po vijnë pikërisht në kohën kur ky i fundit po e përmend çdo ditë e më tepërt mundësinë e korrigjimit të kufijve.
Por sikur që sot po kritikohet korrigjimi i kufijve, kritikohej edhe fusnota që dikur Edita Tahiri si përfaqësuese e dialogut e mbronte me zotësi.
Madje thoshte se është vetëm “një fluskë bore”, e cila do të hiqet kur Kosovën ta njohin pesë shtetet e BE-së.
“Unë e kam përmendur edhe ende e përmendi që është një fluskë bore, në kuptimin metaforik. Pse e kam thënë këtë? – sepse në momentin kur pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë kjo fusnotë do të shkrihet, pra do të hiqet nga përdorimi”, kishte thënë Edita Tahiri.
Ajo madje ishte kritikuar mjaft shumë nga shoqëria civile dhe partitë opozitare për tolerancë dhe favore ndaj Serbisë. /Insajderi.com