Politizimin e bordeve s’ka kush e ndal, Ilir Rexhepi i KRU “Prishtina” bëhet pjesë e Nismës

Politizimin e bordeve s’ka kush e ndal, Ilir Rexhepi i KRU “Prishtina” bëhet pjesë e Nismës

Anëtari i bordit i drejtorëve në ndërmarrjen publike Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Ilir Rexhepi ka marrë post edhe brenda një partie politike.

Rexhepi është bërë anëtar i kryesisë së subjektit politik Nisma Socialdemokrate, pasi ishte anëtarësuar në shkurt të këtij viti, raporton Ktv.

Në një postim të tijin në Facebook, ai shihet të jetë pjesë e mbledhjeve të kryesisë.

Derisa në një postim tjetër shihet përkrah, Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Elmi Reçica teksa shpërndan kartelat për të anëtarësuarit e rinj.

Me këtë veprim Rexhepi e ka shkelur Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Por Ilir Rexhepi përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se nuk udhëheq me asnjë strukturë të Nismës Socialdemokrate.

“Sa për informimin tuaj, unë personalisht nuk udhëheq me asnjë strukturë të partisë së Nismës Socialdemokrate. Për rrjedhojë drejta e deklarimit apo mos deklarimit të bindjeve individuale politike është e drejtë elementare e njerëzore e çdo qytetari, e garantuar me çdo normë juridike vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Ilir Rexhepi, anëtar bordi i drejtorëve në KRU “Prishtina”.

Derisa në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” edhe pse kanë thënë se nuk është kompetencë vlerësimi i veprimeve të Rexhepit, kanë dalë në mbrojtje të tij.

“Pyetja juaj është jashtë kompetencave të Ndërmarrjes KRU “Prishtinë”, përkundër që z. Ilir Rexhepi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të KRU “Prishtina”, zyrtarisht, nuk është në asnjë strukturë udhëheqëse të Nismës Socialdemokrate. Ndërsa e drejta e deklarimit të bindjes individuale politike është e drejtë elementare e çdo qytetari, e garantuar me çdo norme juridike vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”.

Përgjigje për këtë nuk është dhënë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila ka nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend.

Për këtë Berat Thaçi nga instituti GAP thotë se ekziston një bashkëpunim mes partive.

E ky nuk është rasti i vetëm i problemeve me anëtar bordesh në ndërmarrje publike. Së fundmi, Fadil Ismaili ishte larguar nga lista për anëtar të bordit dhe kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë edhe pse kishte pikët maksimale nga Ambasada Britanike.