Është mbajtur në Nju Jork takimi i Mike Pomeo, sekretar shtetëror i SHBA me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas të cilit zyrtari amerikan ka thënë se ishte një bisedë produktive për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa kryetari i Serbisë ka pretenduar se e ka lutur sekretarin amerikan të shtetit që të ndikoj te “shqiptarët e Kosovës” që t’i heqin taksat.

Sekretari i shtetit i SHBA ka shkruar në llogarinë zyrtare në Twitter se dreka me presidentin e Serbisë ishte produktive, se kanë biseduar mbi dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë, Ballkanit perëndimor dhe Bashkësinë Transatlantike, ka shkruar Pompeo.
Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar për televizionin serb RTS se “nuk është me rëndësi çmimi politik të cilin jemi të detyruar ta paguajmë, sepse, siç ka thënë, njerëzit në vendin tonë nuk duan të dëgjojnë gjërat të cilat kanë lidhje me realitetin, por vetëm mitet. Nga marrëdhëniet tona, si dy popuj më të mëdhenj në Ballkan, varet ardhmëria e rajonit. Sa më shpejtë të gjejmë marrëveshje aq më shpejtë do të sigurojmë ardhmëri për njerëzit”, ka pretenduar Vuçiq.
Ai ka shtuar se “beson që SHBA do të kyçet më fuqishëm në zgjidhje të problemit në rajonin ku jemi ne”./Insajderi.com.