Hoti në Twitter: “Jemi të përkushtuar që të punojmë bashkërisht dhe shumë falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të fokusuara në njohje të dyanshme”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar përmes një “twiti” se është uruar për formimin e qeverisë së re nga sekretari amerikan i shteti, Mike Pompeo, njofton Insajderi.
“Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo, më ka uruar për procesin paqësor e demokratik të formimit të qeverisë”, ka shkruar Hoti.
Në cicërimin e tij në Twitter gjithashtu thuhet se Kosova është shumë falënderuese për përkrahjen e SHBA-ve për dialogun me Serbinë.
“Jemi të përkushtuar që të punojmë bashkërisht dhe shumë falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të fokusuara në njohje të dyanshme”.
Hoti, me 27 qershor, do të udhëtojë drejt Uashingtonit, ku me ftesë të emisarit Richard Grenell, do të takohet me homologët nga Serbia, për të parë mundësitë e rifillimit të dialogut dhe një marrëveshjeje potenciale.