Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbeten dy kushtet e fundit, pa plotësimin e të cilave, Kosova nuk mund të sigurojë liberalizimin e vizave.
Këtë e ka bërë të qartë Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë.
Danielsson, i cili është takuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin kanë nisur zyrtarisht Programin për Reforma Ekonomike, ka thënë se një nga sfidat në përpjekjet për t’i realizuar reformat, është adresimi i çështjes së krimit të organizuar, si dhe korrupsionit.
“Është e rëndësishme për disa arsye. Është e rëndësishme për vet Kosovën. Është e rëndësishme për klimën e biznesit. Nëse flasim me operatorët ekonomik dhe i pyesim se cilat janë çështjet e rëndësishme për ta dhe që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, ata e përmendin korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Danielsson.
“Prandaj, është me rëndësi që të adresohen këto çështje. Gjithashtu, kjo është një nga kriteret, sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi ai.
Ai tha po ashtu se për të marrë liberalizimin e vizave, kriter tjetër mbetet ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëj rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje”, tha Danielsson.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar se përgjigja nga Brukseli rreth liberalizimit të vizave, mund t’i vinte Kosovës brenda tre muajve.
Kurse ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli javën e kaluar qëndroi në Bruksel ku kërkoi që Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, të anashkalohet si kusht për liberalizimin e vizave, të paktën për një periudhë të caktuar. Por, kjo kërkesë, deri më tani, nuk është mbështetur me ndonjë deklaratë publike nga zyrtarët e BE-së, të cilët kanë ritheksuar se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet kushti që Kosova të ecë përpara në procesin e heqjes së vizave.
Kryeministri Haradinaj, njihet si një prej kundërshtarëve më të rreptë të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka mandatuar tashmë Komisionin e ri shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe i ka dhënë kompetenca për të korrigjuar Marrëveshjen tashmë të nënshkruar nga Qeveria e kaluar e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi. Kjo marrëveshje, megjithatë është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi, por jo edhe në atë të Kosovës.
Ndërkaq pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, Haradinaj tha se zbatimi i reformave të nevojshme është me rëndësi për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Sipas tij reformat në rend, ligj dhe gjyqësor, në të cilat janë shënuar ngecje, janë me interes të drejtpërdrejtë për Kosovën. Megjithatë, sipas tij, fokusi i takimit të sotëm me zotin Danielsson, ka qenë Programi për reforma ekonomike dhe nisja e këtij programit për vitin që vjen.
“Ishte një mundësi e mirë që të marrim, drejtpërdrejtë nga zoti Danielsson, sugjerimet për aspektet më me rëndësi të këtij programi. Kjo e vërteton përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane për Kosovën dhe për rajonin tonë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se në rast se Kosova nuk i përmbushë reformat dhe nuk e dëshmon seriozitetin e saj në këtë çështje, “do ta dënoj vetën, për shkak se proceset ngadalësohen dhe ndihmat pakësohen ose ndalen”.
Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka theksuar se Programi për Reforma Ekonomike nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë, por edhe e shoqërisë civile, e partive politike dhe e të gjitha bashkësive dhe komuniteteve në Kosovë.