Ish-sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka lëshuar një sërë akuzash ndaj liderit të kësaj partie Albin Kurti. Porosia për rrahjen e anëtarëve të kryesisë që janë kundër Kurtit, deshi të bëjë koalicion me PDK-në si dhe si person i rrezikshëm për Kosovën, janë akuzat që rëndojnë mbi Kurti nga deklarimet e Molliqajt, shkruan Insajderi
Ndonëse para katër muajve Molliqaj lobonte që Kurti të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, tash ai po e cilëson se vendi është në rrezik me qasjen që Kurti ka për Kosovën, nëse ai vjen në krye të shtetit.
“Duke u nisur nga ajo që jam përballur në 15 muajt e fundit në parti, kam parë që nëse bëhet ajo që është bërë brenda në parti, çka mund të bëhet kur ai të merr kontrollin e shtetit, policinë dhe gjykatat. Kushdo që mendon që Albini nuk është rrezik le ta votojnë, a bën të ma lejojnë që unë të mendoj ndryshe”, ka thënë mbrëmë Molliqaj.
Ish-sekretari i VV-së duke folur për rrezikshmërinë e Kurtit ai ka thënë se lideri i partisë, ka porositur aktivistët që të sulmoheshin anëtarët e VV-së që ishin kundër kandidimit të Kurtit për kryetar të këtij subjekti politik. Madje ai thotë se Kurti i kërkoi që të shkoj në Tiranë dhe të mos flas për një vit.
“Ka pas mobilizim të aktivistëve që të na rrahin kush jemi kundër Kurtit kryeministër. Albini e Xhelali i kanë thirrur. Ka qenë nën organizimin e tyre. Më kërkoi të shkoj në Tiranë dhe të mos flas për një vit. I duhesha atyre atje që të më besonin se s’kam plane kundër Kurtit”, ka pretenduar Molliqaj.
Mes të tjerash Molliqaj në intervistën e mbrëmshme në Rubikon të KTV-së, ka treguar edhe për akuzat që Kurti kishte ndaj tij dhe anëtarit tjetër të VV-së, Shpend Ahmetit.
“Albin Kurti i ka thënë Visar Ymerit se Dardani po do me u bë kryetar. Unë e kam ftuar Albinin në takim. I kam thënë se është dashur të më thërrasësh në takim, edhe të them që s’mendoj se duhet të jem unë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti më tha se ky është problem më i madh, se ndaj tij ka pasur grupacione që duan të më eliminojnë politikisht. I kam thënë se e kom pa që ka luftë ndaj teje. Më tha se njerëzit nga UDB-a duan të më luftojnë. Kinse unë jam i vetëdijshëm për planin serb që po bëhet ndaj tij. Kurti më tha se dallimi mes teje e Shpend Ahmetit është se ai ka marrëveshje me shkrim me ambasadat kundër meje, e ti je i informuar për planin serb”, ka thënë Molliqaj
Ai po ashtu ka thënë se ka dëshmi se Kurti ishte i gatshëm të hiqte ‘vijat e kuqe’ ndaj PDK-së, pra duke qenë i gatshëm të bëjë koalicion këtë parti.
“Ekziston incizimi me kamerë. Video-incizim i mbledhjes së prillit 2016 debati mes meje dhe Kurtit. Vetëm le të deklarohet se s’është e vërtetë dhe le të besojë publiku. Nëse ai deklarohet se po them diçka të pavërtetë, le ta publikojnë. Ai ka thënë tekstualisht se ne duhet t’i heqim vijën e kuqe ndaj PDK-së”, ka deklaruar Molliqaj.
Mes tjerash Molliqaj i ka bërë ftesë publike Kurtit për debat televiziv që sipas tij ballafaqimi i tyre televiziv do të përbënte një mundësi të mirë që ata të adresonin mospajtimet dhe ta përmbyllnin temën e mosmarrëveshjeve./Insajderi.com