Ekziston një mit në Torino që shikimi i Leonardo da Vinçit në këtë auto- portret është kaq i thellë, sa kush e sheh, mbushet me fuqi magjike.
Nga Dany Mitzman, BBC
Disa thonë se ishin pikërisht këto fuqi magjike- dhe jo vlera kulturore dhe ekonomike e kësaj pikture, që bëri që ajo të zhvendoset në mënyrë sekrete nga Torinoja në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore- duke penguar që të binte në duart e Hitlerit dhe t’i jepte atij fuqi magjike.
Kushdo që të jetë arsyeja, ishte i vetmi punim në gjithë koleksionin me manuskripte dhe piktura të çmuara që u zhvendos nga Libraria Mbretërore në atë kohë.
Drejtori aktual i librarisë, Giovanni Saccani, thotë se askush nuk e di me saktësi se ku ishte fshehur.
“Për të penguar nazistët që ta merrnin, një operacion i inteligjencës e transportoi atë në mënyrë absolutisht sekrete drejt Romës”.
Nën rrethana të tilla të vështira, ruajtja nuk ishte marrë në konsideratë siç duhet.
“Ose ata nuk kishin dijen dhe teknikat e duhura në atë kohë,” thotë Saccani. “Natyrisht kjo nuk ishte gjë e mirë”.
Brenda Librarisë Mbretërore, një tapet i kuq është vendosur në shkallë- ne i ndjekim ato deri poshtë në një dhomë- kasafortë të nëndheshme me dyer të përforcuara.
Ky bunker i nëndheshëm, i ndërtuar për këtë qëllim, ka qenë shtëpia e Autoportretit të Leonardos dhe mijëra manuskripteve dhe pikturave të çmuara që prej vitit 1998.
Trajtimi që u bëhet tani këtyre pikturave nuk ka të krahasuar me neglizhimin që kanë vuajtur gjatë gjysmës së parë të shekullit të shkuar.
Ndriçimi është ekskluzivisht me fibra optike- në dhomë nuk mund të hyjë asnjë dritë natyrore dhe temperaturat janë konstante në 20 gradë celsius. Lagështia është në nivelin 55 përqind.
Ato janë të ekspozuara në kuti prej xhami, të cilat Saccani i përshkruan si “anti- gjithçka”.
E gjithë zona është e mbushur me kamera dhe sinjale alarmi.
Me një elektrik të posaçëm, Saccani hedh dritë mbi sipërfaqen e pikturës për të treguar dëmin që i është shkaktuar kur disa njolla kafe nisin të shfaqen në letrën e vjetruar.
Për shkak se dëmi ishte i madh dhe letra shumë e brishtë, restaurimi ishte shumë kompleks.
Pas shumë analizave, u arrit në përfundimin që piktura të ruhej ashtu siç ishte.
Dhe që kur është vendosur në këtë qemer, gjendja e saj nuk është përkeqësuar më tej.
“Kjo na ngushëllon sepse e dimë që po e bëjmë punën siç duhet. Keni parasysh që kjo është një pikturë e vjetër 500 vjet. Ky është një vizatim i bërë në një letër të zakonshme dhe mendoj se është e jashtëzakonshme që mund të ekspozojmë sot një kryevepër të tillë”.
Po kaq e jashtëzakonshme është edhe historia se si një auto- portret i tillë përfundoi në Torino.
Ai ishte pjesë e një koleksioni gjigant, të blerë në vitin 1839 nga Mbreti Karlo Albert i Savojës. Një koleksionist i pasionuar, ai e bleu fillimisht nga Giovanni Volpato, një tregtar arti dhe një kurator, që kishte udhëtuar shumë nëpër Europë. Se si i ra në dorë atij ky vizatim, ende nuk dihet, por dihet që ai i kërkoi mbretit shumën e 70 mijë lirave piemonteze për koleksionin.
“Një mjek fitonte 1 mijë lira në vit në atë kohë dhe kjo ishte një shumë astronomike,” buzëqesh Saccani.
“Mbreti mundi ta ulte shumën në 50 mijë dhe sërish iu deshën tetë vite për ta paguar plotësisht”.
Por Saccani thotë se Volpato nuk ishte biznesmeni i pamëshirshëm siç mund të duket.
“Qëllimi i tij nuk ishte thjesht financiar, për shkak se në shkëmbim të uljes së çmimit, ai kërkoi që të lejohej të bëhej kurator pa pagesë i pikturave në Librarinë Mbretërore”.
Që prej atëherë, Torinoja mbeti shtëpia e këtij auto- portreti.
Auto- portreti i Leonardos konsiderohet aq e çmueshme sa duhet një dekret shtetëror për lëvizjen e tij.
Ai mund të lëvizë vetëm me leje ministrore.
Në vitin 2011, u dërgua jashtë Torinos për një ekspozitë me rastin e 150- vjetorit të bashkimit të Italisë.
“Transporti përfshinte një kuti speciale me klima, në gjendje për të ruajtur sistemin e ajrimit njësoj si këtu,” thotë Saccani.
“Kjo kuti klime u vendos në një valixhe, e cila u vendos në një tjetër kuti, për të shmangur çdo vibrim”.
Pakoja më pas u shoqërua me një eskortë të armatosur dhe monitorohej vazhdimisht.
Ishte një detyrë shumë e vështirë, komplekse dhe e jashtëzakonshme, që ka pak gjasa që të përsëritet në të ardhmen.
Në javët në vazhdim, 50 njerëz do lejohen në Librarinë Mbretërore për çdo orë nga ora 9:00 deri në 18:00 për të parë auto- portretin.
Temperatura e ambientit do ulet pak për të kompensuar ngrohtësinë e trupave të njerëzve që do futen brenda.
Edhe pse në këtë ekspozitë ka më shumë se 80 kryevepra- përfshi këtu të tjera vepra të Leonardos, Rembrandtit, Rafaelos, për shumicën e vizitorëve, qëllimi është që të shohin fytyrën e dijetarit të madh të Rilindjes.
Dhe duke pasur në mendje një mit përfundimtar mbi të- thuhet se përpara se të hyjnë në provim, studentët duhet të bëjnë rishikimin e fundit duke qëndruar mbi dhomën- kasafortë në Librarinë Mbretërore. Legjenda thotë se nëse studion pranë Leonardos, mund të marrësh nga gjenialiteti i tij./Mapo.al/