Ndërtimi dhe vënia në funksion e një narracioni kundër propagandës që bëjnë individët, grupet apo organizatat që identifikohen si burim i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar që shpie në terrorizëm, ka qenë dhe mbetet pjesë e Strategjisë Kombëtare të Kosovës për parandalimin e këtyre fenomeneve.
Nga kjo strategji ka buruar edhe ligji që sanksionon këto veprime, si dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.
Por, vënia në funksion e kësaj kundër-narracionit synon t’u shpjegojë personave që i janë bashkangjitur luftërave në Lindje të Mesme ose që kanë bërë thirrje për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste, se një gjë e tillë është e gabuar.
Vedat Sahiti, këshilltar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që ky institucion fetar ka propozuar, sugjeruar dhe këshilluar një mori masash për parandalimin, por edhe për vetëdijesimin për pasojat e ekstremizmit me bazë fetare.
“Përveç planit të veprimit ndërqeveritar, me të gjitha institucionet e vendit dhe shoqërinë civile, Bashkësia Islame e Kosovës ka hartuar edhe një strategji të veten dhe një plan veprues brenda institucioneve të Bashkësisë Islame”.
“BIK-u ka përgatitur kundër-narracionet kundër ekstremizmit, të cilat ne i kemi përçuar edhe përmes ligjëratave të organizuara, qoftë në bashkëpunim me institucionet e vendit apo edhe me organizatat ndërkombëtare- në këtë rast po i përmend, OSBE-në UNDP-në, Ambasadën Amerikane – qoftë edhe përmes ligjëratave të ndryshme në nivel të xhamive dhe institucioneve tona të Bashkësisë Islame, duke vetëdijesuar rininë tonë, në veçanti për rrezikun e radikalizmit, ndaj të cilit nuk janë imune as shoqëritë dhe shtetet edhe më të konsoliduara”, thotë Sahiti.