Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës paralajmërojnë zhbllokimin e llogarive bankare të Postës se Kosovës.
Bllokimi i llogarive të Postës u bë të enjten nga Administrata Tatimore, për shkak të një borxhi ndaj kësaj administrate, në vlerë prej rreth 1.3 milion eurosh, që është grumbulluar gjatë periudhës 2019-2020.
Zyrtarë të Postës pohojnë se kjo kompani po përballet me kushte të rënda financiare, për shkak të borxhit që i kanë kësaj kompanie qeveria dhe Telekomi i Kosovës.
Vlera e borxhit që qeveria i ka Postës – borxh që është grumbulluar ndër vite – llogaritet të jetë rreth 5 milionë euro, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorimin e ndërmarrjeve publike, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.
Borxhi i qeverisë ndaj Postës, është krijuar pasi Posta ofron shërbime universale postare në gjithë territorin e Kosovës, kurse në bazë të ligjit, qeveria është e obliguar t’i mbulojë shpenzimet.
Krasniqi tregon se pas një takimi me udhëheqës të Postës, është premtuar se Qeveria e Kosovës do të shlyejë borxhin e grumbulluar.
“Nga dita e hënë, besoj se Posta mund të fillojë të funksionojë normalisht, pasi qeveria do të fillojë të shpaguajë borxhin e grumbulluar nga qeveritë e kaluara”, tha Krasniqi.
Përveç qeverisë, edhe Telekomi i Kosovës i ka borxh Postës rreth 1.4 milion euro.
Një pjesë e borxhit të Telekomit ndaj Postës është krijuar për shkak të mospagesës së qirave për disa objekte të Postës që i shfrytëzon Telekomi.
Udhëheqës të Postës së Kosovës, thanë se janë duke përgatitur marrëveshje për programim të borxhit me Administratës Tatimore të Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv në Postën e Kosovës, Salih Morina, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, kanë premtuar se do fillojnë të paguajnë borxhin ndaj Postës, mjete këto që do transferohen në llogarinë e ATK-së.