Rreth 15 mijë profesionistë shëndetësorë në sektorin publik dhe privat, vetëm rreth pesë mijë prej tyre kanë marr dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, transmeton Insajderi.
Ky hezitim i mjekëve për t’u vaksinuar po shihet si një shembull jo i mirë për qytetarët.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, deklaron se ka profesionistë shëndetësorë që kanë hezituar të vaksinohen, por ka edhe të tjerët të cilat kanë antitrupa pasi tashmë e kanë kaluar COVID-19.
“Prej tyre rreth 5000 janë nga personeli shëndetësor. Ka prej atyre që e kanë marrë sikur tregojnë edhe shifrat, ka të tjerë që e kanë kaluar COVID-19 dhe mendojnë që kanë ende antitrupa dhe mendojnë të vaksinohen në ndërkohë, sikur që ka edhe atillë që kanë hezituar sigurisht. Por, rekomandimi i fuqishëm i MSh-së është që të vaksinohen të gjithë personeli shëndetësor, për të siguruar imunitet aktiv kundër virusit”, thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të MSh-së, raporton KP.
Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli thotë se stafi mjekësor nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar.
“Mua më çuditë stafi mjekësor për besë po mundohem me i arsyetuar në një mënyrë por nuk e shoh fare të arsyeshme një reagim të tillë. Jep një shembull të keq tek popullata e cila është e ngulfatur që 13 muaj nga pandemia, një situatë që nuk e kanë kuptuar mirë dhe nuk e kanë ditur në fund të fundit se çka është pandemia. T’i shoh këta njerëz që t’i kërkon kujdes prej tyre duke mos u vaksinuar është një shembull që nuk e kisha ndjekur. Nuk e kanë me të drejtë dhe nuk e kanë mirë vetëm se ata janë duke protestuar rreth kësaj nuk besoj që është një shembull që duhet ndjekur. E vetmja mënyrë që ne të dalim prej këtyre izolimeve prej mbylljeve totale apo të pjesërishme është vaksinimi, çfarë do metode vetëm ka me ngadalësuar dhe ka me zgjatë një proces i cili shtetet tjera e kanë nisur nga dhjetori”, theksoi Xhemajli.
I befasuar me hezitimin e mjekëve për t’u vaksinuar u shpreh edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Sipas tij, arsyet për mos vaksinim të stafit mjekësor kanë qenë dilemat e ngritura përgjigje të cilave do duhej t’u jepte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
“Arsyetimet për hezitim ka qenë sqarimi i dy çështjeve në të cilat Instituti është dashur të sqarohet dhe ne kemi bë shkresë Institutit të sqarojnë edhe për publikun sepse do vlen edhe për ta se cila është koha optimale pas negativizimit të atyre të cilat kanë qenë pozitiv me COVID që të merret me vaksina dhe sa është e ndërlidhur çështja e antitrupave me nevojën për vaksinim dhe një gjë e tillë nuk është sqaruar asnjëherë. Dhe këto dy çështje janë ngritur shumë prej kolegëve tanë se a duhet dhe nuk ka nevojë sepse kemi antitrupa dhe po ata antitrupa i fitojmë edhe me vaksinë. Por gjithsesi jemi pak të zhgënjyer sepse nuk është mesazh i mirë për popullatën”, theksoi Sejdiu. /Insajderi.com