Prej vitit 2022 pajisje të reja të sigurisë të obliguara në të gjitha veturat

Të gjitha veturat e reja në BE prej vitit 2022 duhet të kenë të instaluar teknologji të reja të sigurisë për mbrojtje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke përfshirë edhe sistemin e paralajmërimit të vozitësit në rast të përgjumësisë.

Prej vitit 2022 pajisje të reja të sigurisë të obliguara në të gjitha veturat

Teknologjitë e reja do të duhet ta zvogëlojnë numrin e lëndimeve dhe rasteve të vdekjeve në trafik, ku 90 për qind e të cilëve shkaktohen me gabim të njeriut.

Komision Evropian vlerëson se masat e reja të sigurisë mund të shpëtojnë më shumë se 25.000 jetë deri në vitin 2038 si dhe së paku 140.000 raste të lëndimeve të rënda.

Institucionet evropiane kanë arritur marrëveshje për urdhëresën mbi siguri të përgjithshme sipas të cilës të gjitha veturat e reja do të duhet të kenë të instaluar teknologji të reja sigurie për mbrojtje të pjesëmarrësve në komunikacion, lajmëron Hina.

Një pjesë e karakteristikave të sigurisë tashmë ekziston dhe po instalohen nëpër vetura të shumë kategorive, dhe duhet të jenë të obligueshme për të gjitha.

Urdhëresa parasheh që të gjitha veturat, kombit, kamionët dhe autobusët të kenë sisteme për paralajmërim të vozitësve në rast të përgjumësisë dhe humbjes së vëmendjes, siç janë përdorimi i telefonave të mençur gjatë vozitjes, sistemi inteligjent i ndihmës për shpejtësi, sistemi i sigurisë për vozitje mbrapa me ndihmën e kamerave apo sensorëve, si dhe pajisje për xhirim të dhënave me rastin e aksidentit (kutia e zezë).

Veturat dhe kombit do të duhet të kenë sisteme për qëndrim në shiritin e trafikut dhe sistem të rripave të sigurisë të cilët janë përmirësuar në bazë të testimeve të ndeshjeve.

Kamionët dhe autobusët do të kenë sisteme për përmirësim të shikueshmërisë, si dhe eliminimin e “këndit të vdekur”, si dhe sistemet në pjesën e përparme dhe anësore të automjetit për zbulim dhe paralajmërim të pjesëmarrësve të pambrojtur në trafik, sidomos kur kthehet kamioni.

Urdhëresën e re tani formalisht duhet ta konfirmojnë Këshilli i BE dhe Parlamenti Evropian. Masa e re e sigurisë do të jetë e obligueshme prej vitit 2022./Insajderi.com.