Premtimet e Pacollit: 70 mijë vende pune për dy vite dhe pengimi i zhvatësve

Premtimet e Pacollit: 70 mijë vende pune për dy vite dhe pengimi i zhvatësve

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nëse subjekti që ai drejton do të marrë pushtetin në Kosovë, do të ndalojë zhvatjen e Kosovës.

Këto komente, Pacolli i bëri në Gjilan, ku u takua me përkrahës të Aleancës Kosova e Re, të cilët kishin ardhur për t’u njoftuar nga afër me kandidatët e partisë për deputetë, njofton AKR-ja përmes një komunikate.

Kryetari i degës së AKR-së ne Gjilan Ismet Hajdini, e hapi këtë tubim ku i pranishëm në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në fjalën e tij para qytetarëve Pacolli falënderoi fillimisht strukturat e partisë në Gjilan, për punën e tyre në degë. Ai po ashtu ka përshëndetur edhe përfaqësuesit LDK-së,  partnerit të koalicionit të AKR-së për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme 2017.

Ai ka thënë se do të ndalojë zhvatjen e Kosovës, njofton komunikata.

“Koalicioni ynë do te krijojë mundësi punësimi dhe rritje ekonomike. Ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8 % qysh në dy vitet e para të qeverisjes, kjo do të krijojë rreth 70 mijë vende të reja pune”, ka theksuar, duke treguar për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike.

“Do të lidhim zingjirin e bujqësisë dhe ai do të jetë pjesë përbërëse e konzorciumit të agro-platformës ekonomike, kjo është mënyrë moderne e punës”, ka treguar ai më tej.

Numri një i AKR-së ka thënë se përmes qeverisjes së koalicionit AKR-LDK, Kosova do të përfshihet në tregun global të kompanive.

“Qe tani kam filluar kontaktet me kompani globale, me tri brende të rëndësishme evropiane, brende me të cilat ne do të prodhojmë ushqim dhe do të jemi pjesë e eksportit dhe rrjedhimisht ta zvogëlojmë importin”, ka thënë Presidenti i AKR-së.

Një gjë tjetër që Pacolli nënvizoi në programin e AKR-së, është mbrojtja e mjedisit.

“E shihni sot si shkatërrohet Kosova nga uzurpatorët ilegalë. Vetëm shikoni malet tona të atakuara nga gurëthyesit të cilët e kanë shkatërruar habitatin e kafshëve në Kosovë. Nuk guxon ambienti të shkatërrohet në këtë mënyrë, na kanë kapluar mbeturinat në çdo cep” është shprehur ai duke shtuar se shtyllë e qeverisjes së koalicionit AKR-LDK do të jetë mbrojtja dhe ruajtja e ambientit. /Insajderi.com