Premtimet e rrejshme të politikanëve për vende pune – mijëra qytetarë ikin nga vendi për mundësi punësimi

Premtimet e rrejshme të politikanëve për vende pune – mijëra qytetarë ikin nga vendi për mundësi punësimi

Mbi 275 mijë vende të reja të punës ishin premtuar në fushatën e fundit të partive politike. Mirëpo të paktën 170 mijë kosovarë kanë braktisur Kosovën vitet e fundit për arsye të punësimit dhe jetesës më të mirë jashtë vendlindjes së tyre.

Politikanët në çdo fushatë kanë gojën plotë me premtime, por jo të gjitha këto premtime ata i realizojnë. Premtimi i tyre i zakonshëm është hapja e vendeve të reja të punës, kështu mijëra qytetar marrin premtime nga liderët partiak se nëse partia të cilën ata e votojnë do t’ia sigurojë një vend pune.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli në maj të 2017 kishte premtuar 60 mijë vende të reja të punës pa ndonjë investitor të huaj.

Veseli kishte thënë se plani i tij ekonomik i ka tri shtylla.

“Plani im ekonomik ka tri shtylla: investimin në bizneset e Kosovës, fuqizimin e grave dhe të rinjve për pjesëmarrje të plotë në ekonominë tonë, dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në mekanizma dhe tregje të tjera. Në Kosovë operojnë rreth 60,000 biznese. Nëse secila shton nga një vend pune, kjo do të nënkuptonte 60,000 vende të reja pune pa ndonjë investim të huaj. Ne duhet t’i ulin barrierat brenda qeverisë dhe t’i nxisim bizneset që të rriten”, kishte thënë kryetari Veseli.

Një premtim të tillë e kishte dhënë edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Mustafa kishte thënë se duhet të luftohej hendeku i bilancit tregtar duke fuqizuar prodhimin vendos ku do të krijoheshin 120 mijë vende të reja pune.

“Sipas ekspertëve të LDK-së norma e zhvillimit ekonomik është përgjysmuar nga qeveria aktuale dhe do të na duhet 30 vjet për të dyfishuar të ardhurat  kombëtare. Me këtë qeveri kemi 300 mijë të papunë. Kjo qeveri ua ka humbur shpresat të papunëve se mund të gjejnë një vend pune, ndërsa familjet me asistencë sociale nuk mund ta përballojnë shpenzimet elementare mujore. Si pasojë e qeverisjes aktuale, vetëm vitin e kaluar 21 mijë persona kanë kërkuar azil në vendet tjera”, kishte thënë Mustafa.

Shifra nuk kishte dhënë mirëpo premtim për vende të reja të punës kishte bërë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai kishte thënë se ne kemi punuar dhe kemi diskutuar se gjatë qeverisjes sonë do të punojmë për vende të reja pune.

“Me ne në qeverisje Kosova do të ketë vende të reja për punë, do të ndërtohet e termocentralit të ri”, ishte shprehur ai.

Edhe presidenti i Aleancës për Kosovën e Re (AKR) Behgjet Pacolli kishte thënë se partia e tij ka një program për “punësimin e mbi 70 mijë njerëzve në fillimin e qeverisjes”, nëse AKR fiton zgjedhjet.

“Ne kemi program të planifikuar në detaje për këtë. Plan programi ynë siguron mbi 70 mije vende të reja pune qysh në fillim të qeverisjes. Do të investohen mbi 140 milion euro për jetësimin e ideve të të rinjve, të cilët i kanë përfunduar shkollimet, por që nuk e gjejnë dot një vend pune”, kishte thënë Pacolli.

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj ka premtuar krijimin e 25 mijë vendeve të punës, në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Lideri i NISMA-s kishte shpalosur në Gjilan programin qeverisës social-demokrat të partisë së tij.

“Do të jetë një Qeveri reformatore në administratë. Do t’i krijojmë 25 mijë vende të punës brenda dy viteve dhe përparësi kanë 25 mijë familje me gjendje sociale, ku do të punësohen nga një anëtarë i këtyre familjeve”, kishte theksuar Limaj. /Insajderi.com