Premtimet elektorale të Haradinajt e Veselit e futën në grackë SBASHK-un

Në kohën e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, liderët e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, u sulën me nënshkrimin e memorandumeve me disa sindikata, ku edhe pas formimit të Qeverisë, nuk janë përmbushur premtimet e dhëna.

Premtimet elektorale të Haradinajt e Veselit e futën në grackë SBASHK-un

Ishte 5 qershori i vitit të kaluar kur u bënë bashkë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përfaqësuesi i koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari.

Qëllimi ishte nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi për mbështetjen e tyre nëse ata e marrin udhëheqjen e vendit.

Kjo e fundit ndodhi, por jo edhe realizimi i premtimeve.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili tash është kryetar Kuvendi, kishte thënë se këta njerëz (mësuesit) kanë nevojë për përkrahje.

“Këta njerëz kanë nevojë për përkrahje dhe do të kenë përkrahjen tonë. Ne do të përfshijmë 30 përqind rritje për pagat e punonjësve të arsimit, ashtu sikurse edhe në sektorët e tjerë publik”, kishte thënë asokohe Veseli.

Kurse asokohe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryeministër, pas nënshkrimit të memorandumit, u kishte premtuar mësuesve se nuk do të jenë vetëm.

“Me këtë marrëveshje po krijohen kushtet që të punohet në çështjet më të rëndësishme. Sot, iu japim premtimin se më nuk do të jenë vetë”, kishte thënë Haradinaj.

Megjithatë, ky memorandum ende ka mbetur vetëm në letër, përderisa SBASHK-u sot ka nisur të kërcënojë me greva.

Në të gjitha shkollat e Kosovës nuk u mbajt ora e parë e mësimit, pasi mësuesit u futën në grevë.

Pas grevës së sotme, kryeministri ka nisur të reflektojë, të paktën përmes komunikimit në distancë. Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se së shpejti do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut.

“Gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojmë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve tona si shtet”, ka shkruar kryeministri.

Ai nuk harroi të thur lavde sikurse në kohën e nënshkrimit të memorandumit.

“Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka po ashtu një rëndësi të veçantë. Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë”, ka shtuar ai.

Por është dikush që krejt këtë çështje e sheh ndryshe. Madje vlerëson se SBASHK-u ka rënë në grackën e premtimeve elektorale.

“Realisht, SBASHK, duke e nënshkruar një marrëveshje për përkrahje politike dhe duke siguruar vota për këtë koalicion, ka rënë në grackë të premtimeve elektorale e të cilat nuk janë të detyrueshme për zbatim. SBASHK është rreshtuar politikisht duke e cenuar pavarësinë e deklaruar”, thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Madje ky Këshill e ka kundërshtuar mënyrën e grevës së SBASHK-ut, duke thënë se nuk lejohet të keqpërdoren fëmijët për qëllime sindikale./Insajderi.com