fbpx

Premtimi i Abrashit për veteranët

Premtimi i Abrashit për veteranët

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, së bashku me asambleistin e AAK-së, Gent  Begolli, takoi të enjten kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega Prishtinë, Fatmir Sopi, të cilit i kanë premtuar përkujdesje institucionale dhe përfaqësim në Komunën e Prishtinës.

“Pjesë e politikave tona është një qasje gjithëpërfshirëse. Ne i çmojmë lartë meritat e organizatave të luftës, prandaj do t’i përkrahim përmes projekteve konkrete. E para për vet funksionimin e organizatës dhe hartimin e projekteve për vet mirëqenien e veteranëve qoftë me zgjidhje të vendbanimit, punësimit apo format e tjera të përkrahjes. Kryesorja është që do të bashkëpunojmë dhe dera e hapur do të jetë gjithmonë për veteranët”, ka thënë Abrashi.

Abrashi pohoi se kategoritë e dala nga lufta janë anashkaluar nga komuna në katër vitet e shkuara, por kjo do të përfundojë më 19 nëntor me fitoren tonë në zgjedhje.

Ndërkaq Fatmir Sopi kryetar i Organizatës së Veteranëve, Dega në Prishtinë, u shpreh se deri tani nuk ka pasur bashkëpunim të dëshiruar me Komunën e Prishtinës, përkundër insistimit të tyre të vazhdueshëm.

“Deri tani nuk ka pasur bashkëpunim të duhur. Kryetari aktual na ka injoruar, nuk ka pranuar as takim njoftues me ne, mirëpo ne si organizatë jemi mbipartiak dhe i mirëpresim të gjithë kandidatët për kryetarë. Andaj me zgjedhjen e kryetarit të ri, ne do të presim bashkëpunim më të madh me komunën”, ka thënë Sopi.