fbpx

Premtimi i ministrit Dardan Gashi për diasporën ende mbetet në letër

Ndonëse ishte premtuar se që nga 20 korriku i vitit 2016 të nisë dhënia online e policave kufitare të sigurimit për bashkatdhetarët, kjo ende nuk po ndodh. Madje, pas ardhjes së qeverisë Haradinaj, ministri për Diasporën, Dardan Gashi, kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi pikërisht për ofrimin online të këtij shërbimi, por ende nuk po ndodh. Kurse mërgimtarët po ankohen, duke shprehur zhgënjimin e tyre me premtimet e institucioneve.

Premtimi i ministrit Dardan Gashi për diasporën ende mbetet në letër

Ishte 3 nëntori i vitit të kaluar kur dy ministra të qeverisë Haradinaj u mblodhën kokë më kokë për ta dhënë një premtim të madh për diasporën. Madje këtë premtim e cilësuan edhe si shumë të vonuar, por që tash do të bëjë “revolucion”.

Premtimi që u dha ishte sigurimi online i policave kufitare, e cila do ta lehtësonte ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë.

Ishte ministri i Diasporës, Dardan Gashi, i cili e kishte cilësuar si shumë të rëndësishme ditën kur u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë që ai e drejton, asaj të Punëve të Brendshme dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Ndonëse e kishte vlerësuar edhe si iniciativë të vonuar, megjithatë, ministri Gashi kishte thënë se qëllimi është që bashkatdhetarët të përfitojnë nga ky shërbim.

“Kjo iniciativë është e vjetër nuk është iniciativë e re. Mirëpo fatkeqësisht nuk është realizuar. Sot e kemi një ditë të rëndësishme për bashkatdhetarët tanë. Do t’ju lehtësojmë disa procedura”, kishte thënë ndër tjera ministri Gashi gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit.

Por ky premtim nuk i krijoi lehtësira mërgimtarëve. Ata po ankohen se ende nuk po mund ta shfrytëzojnë online këtë shërbim të premtuar nga institucionet shtetërore.

“Unë jam i interesuar të siguroj online policën e sigurimit kufitar të premtuar nga Ministri, por në web faqe të Byrosë se Sigurimeve nuk kam hasur në mundësi të tillë”, ka thënë për Insajderin mërgimtari Elfad Qorrolli.

Vonesën në zbatimin e këtij shërbimi online e ka konfirmuar për Insajderin edhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

“Jemi në përfundim e sipër të projektit. Momentalisht jemi duke bërë testimet me një nga bankat komerciale – Procredit Bank që është përfshirë në këtë projekt. Besojmë që deri në fund të muajit shkurt do të funksionalizohet shërbimi”, thuhet në përgjigjen e BKS-së.

Edhe pse me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit u proklamua se ky shërbim do të jetë online, tash kanë kaluar mbi tre muaj dhe ende nuk është funksionalizuar.

Pjesë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për polica online të sigurimit, ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Sefaj kishte thënë se promotore e kësaj iniciative është Ministria e Diasporës, kurse ministria që ai e drejton vetëm i është bashkëngjitur kësaj nisme.

“Promotor është Ministria e Diasporës. Ne si ministri e Punëve të Brendshme menjëherë ju kemi bashkëngjitë kësaj iniciative. Është nënshkruar memorandumi që t’i lehtësohet ardhja e qytetarëve tanë, diasporës sonë në vendlindje, sepse ata kontribuojnë me mundin e tyre për këtë vend”, kishe thënë ministri Sefaj.

Një premtim të tillë e kishte dhënë që qershor të vitit 2016 edhe Kryesues i delegacionit të Kosovës për dialog me Brukselin lidhur me kartonin e gjelbër, Rrahim Pacolli. Ai kishte bërë të ditur se së shpejti do të fillojë shitja online e policave kufitare.

“Dëshiroj të ju informoj se kemi intensifikuar veprimet dhe kemi ndërmarrë hapat konkret për të jetësuar sa me parë platformën për shitjen online të policave kufitare. Kjo platformë do të ju mundësojë bashkatdhetarëve që të blejnë policën e sigurimit online nga të gjithë telefonat “smart”, në çdo kohë dhe nga çdo vend”, kishte shkruar Pacolli në Facebook.

Në “lojën e premtimeve” ishte përfshirë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Pas takimeve me bashkatdhetarët mora shumë lajme për vështirësitë e tyre që shfaqen në hyrje të Republikës së Kosovës, pritjet dhe kolonat për t’u pajisur me sigurim të makinës, në takim me Rrahim Pacollin e trajtuam këtë çështje. Vendosëm që nga 20 korriku policat e sigurimit të mundë të merren online”, kishte thënë Veseli pas takimit që në atë kohë kishte zhvilluar me Rrahim Pacollin.

Për më tepër, Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte planifikuar që nga 20 korriku i vitit 2016 të fillojë me shitjen online të policave të sigurimit kufitar./Insajderi.com