
Në fushatë për zgjedhjet qëndrore të vitit 2014, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa kishte premtuar krijimin e 120 mijë vendeve të punës, dhe ato vetëm në sektorin e bujqësisë. Kishte thënë se do ta mbështeste më së shumti këtë sektor.
E pas rreth tre vitesh qeverisje, njeriu që mbajti detyrën e kryeministrit njofton se arriti të punësoi më shumë se 40 mijë vetë.
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri në largim Isa Mustafa ka gjetur kohë të lavdërohet për arritjet e krijimit të vendeve të punës. Mustafa është krenuar edhe për uljen e papunësisë në Kosovë, raporton Insajderi.
Kryetari i LDK-së ka thënë se këto arritje janë rezultat i punës së madhe të bërë nga kabineti i tij.
“Statistikat kredibile bëjnë me dije se papunësia është ulur nga 35 % në 27 %, ndërkaq institucionet përkatëse konfirmojnë mbi 41 mijë të punësuar rinj, me emër e mbiemër. Mijëra qytetarë të tjerë janë vetëpunësuar kryesisht në bujqësi dhe fusha të tjera”, ka shkruar Mustafa.
Koalicioni qeverisës, në të cilin Mustafa ishte kryeministër për rreth 3 vite, është rrëzuar përmes një mocioni mosbesimi të mërkurën në Kuvendin e Kosovës. /Insajderi.com