Presidenca kërkon nga Kuvendi miratimin e rezolutës që ia ndalon Hotit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovë

Presidenca kërkon nga Kuvendi miratimin e rezolutës që ia ndalon Hotit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovë

Presidenca e Kosovës ka reaguar kundër hapjes së temës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një komunikate për media, presidenca potencon se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë, njofton Insajderi.

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tone”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidenca në krye me Hashim Thaçin ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë këtë çështje që përmes një rezolute t’i ndalohet kryeministri, Avdullah Hoti, të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe tema që lidhen me rendin e brendshëm shtetëror.

“Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kushdo qoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës. /Insajderi.com