Presidenca kroate: Nuk japim garanci për Thaçin dhe të tjerët

Presidenca kroate: Nuk japim garanci për Thaçin dhe të tjerët

Presidenca kroate në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, ka demantuar “garancinë” e pretenduar që të marrin përsipër mbrojtjen në liri të Hashim Thaçin dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen për “krime lufte” nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tilla, nuk kam kompetenca të tilla”, ka deklaruar presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Më 1 maj, ish-gjenerali i UÇK-së, Hisen Berisha, kishte deklaruar se “Kroacia është zotuar për garancë” në mënyrë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbrohen në liri.

Më vonë ai kishte përmendur edhe Slloveninë, Austrinë e Izraelin si shtete të cilat “do të japin atë garancë”.

Gjykata Speciala kishte refuzuar kërkesën e avokatëve e ish-krerëve të UÇK-së që të mbrohen në liri, por njëri nga gjyqtarët, Kai Ambos, si mundësi kishte përmendur rastin kur “një shtet i tretë garanton”.

Për këtë Partia Demoratike e Kosovës, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të veprojnë në këtë drejtim.

Por, Bekim Kupina, Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmanit, ka thënë të mërkurën se “Kosova në asnjë interpretim juridik nuk mund të konsiderohet si shtet i tretë”.

Funksionarë të PDK-së besojnë që “Kosova qëllimisht nuk po e bën këtë”, në varg të këtyre akuzave ka filluar edhe një fushatë që kërkon dorëheqjen apo shkarkimin e kryediplomates, Donika Gërvalla, duke iu referuar disa deklaratave të saj gjatë vitit 2015, ku kishte potencuar se “do të deponojë materiale në gjykata ndërkombëtare” e që lidhen me vrasjet e pasluftës – ajo me ato akuza ngarkonte Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Asaj i doli në mbrojtje shefi i saj në Qeveri, Albin Kurti. Sipas kreut të ekzekutivit “Gërvalla mbron luftën e UÇK-së”.

Ashtu nuk po mendojnë të gjithë, Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt shkroi “UÇK” mbi veturën e ministres së Punëve të Jashtme.

Kjo e fundit të martën përmes një postimi në Facebook, premtoi se “do të jetë në mbrojtje të çdo viktime të luftës së fundit në Kosovë”. /Insajderi.com