Presidenca: Lajçak i tha Osmanit se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë e saj

Presidenca: Lajçak i tha Osmanit se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë e saj

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e brendshëm, njofton Insajderi.com.

Përmes një komunikate për media, Presidenca e Kosovës ka njoftuar se në këtë takim, Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbylley me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

“Ajo potencoi se Republika e Kosovës është pala konstruktive në dialog, e cila është duke ofruar propozime konkrete në këtë proces, dhe e cila i ka zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, për dallim nga Serbia e cila nuk respekton marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës. Z. Lajčák tha se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm”, thuhet ndër tjerash.

Po ashtu, Osmani ka folur edhe rreth procesit të liberalizimit të vizave, duke thënë se kjo çështje është jetike sa i përket kredibilitetit të BE-së.

“Perceptimi i qytetarëve të Kosovës për dialogun është i ndërlidhur ngushtë me vendosmërinë e BE-së që të krijojë perspektivë të qartë integruese. Për më tepër, liberalizimi i vizave për Kosovën është jetik sa i përket kredibilitetit të BE-së”, ka theksuar presidentja Osmani, në takimin e sotëm./Insajderi.com