Presidenca nuk e di se sa shpenzojnë zyrtarët e saj për derivate

Presidenca nuk e di se sa shpenzojnë zyrtarët e saj për derivate

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një numër shkeljesh në proceset e prokurimit tek Zyra e Presidentit.

Në raportin për vitin 2016 të kësaj zyre – që është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik financiar – thuhet se Presidenca ka bërë përparim në zbatimin e rekomandimeve nga viti i kaluar, “megjithatë mos zbatimi i plotë i të gjitha rekomandimeve ka ndikuar që disa mangësi të përsëriten nga viti i kaluar”.

“Kjo ishte evidente kryesisht te prokurimi dhe të menaxhimi i pasurisë”, thuhet në raport.

Një nga gjetet e auditorëve ka të bëje edhe me kontrollin që ushtrohet ndaj shfyrtëzimit të veturave zyrtare.

Auditorët kanë gjetur se ka pasur mungesë të “evidencave të plota për përdorimin automjeteve zyrtare”.

“Mos mbajtja e evidencave të sakta për shpenzimet e automjeteve mund të ndikojë që kostoja e shpenzimeve të jetë e lartë dhe menaxhmenti të mos këtë informata të mjaftueshme për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për përmirësimin e menaxhimit të tyre”, thuhet në raport.

Zyra e Auditorit ka gjeture dhe shkelje të tjera gjatë procedurave të prokurimit. Në një rast për “furnizim me televizorë LED”, sipas raportit, zyrtari i njëjtë ishte caktuar anëtarë i komisionit të vlerësimit dhe menaxher i kontratës, duke mos ndjekur parimet për ndarjen e detyrave”.

Sipas kësaj zyre, “mos respektimi i parimeve për ndarjen e detyrave rrit rrezikun e paraqitjes së konflikt të interesit.”

“Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë se me rastin e formimit të komisioneve të ndryshme do të respektohen parimet për ndarjen e detyrave me qëllim që të evitohen konfliktet e mundshme të interesit”, ka rekomanduar kjo Zyre, njofton Insajderi.

Në gjetjen tjetër të Zyres, lidhur me një tender për shërbimet e autolarjes së veturave zyrtare të Presidencës, thuhet se “komisioni gjatë vlerësimit të ofertave nuk kishte marrë parasysh kërkesat e dosjes së tenderit të cekura më lartë dhe ishte shpërblyer me kontratë Operatori Ekonomik pa u vlerësuar fare oferta për përshtatshmëri teknike dhe profesionale”.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të mos përgjegjësisë nga komisioni i vlerësimit dhe mos mbikëqyrjes adekuate nga udhëheqësi i prokurimit”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditimit./Insajderi.com