Presidenca shqyrton mundësinë për formimin e komisionit të nisur nga Thaçi për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve

Presidenca shqyrton mundësinë për formimin e komisionit të nisur nga Thaçi për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve

Presidenca po shqyrton punën që ka bërë ekipi përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Patimin – iniciativë kjo e nisur nga ish-presidenti Hashim Thaçi për pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, transmeton Insajderi.

Puna e nisur më 2018, dy dekada pas luftës, për themelimin e këtij komisioni ka mbetur në gjysmë, pasi ajo nuk është përfunduar sa Thaçi ishte në krye të shtetit.

Kurse tash, ky institucion i udhëhequr nga Vjosa Osmani nuk ka treguar se si do të veprojë me këtë nismë.

Këshilltari i presidente, Bekim Kupina, thotë se aktualisht është duke u vlerësuar puna e ekipit përgatitor.

“Lidhur me funksionimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ju njoftojmë se kabineti i presidentes Osmani është në shqyrtim e sipër të punës paraprake që është bërë në këtë drejtim. Aktualisht ekziston një draft-statut për këtë komision, i cili është në proces të shqyrtimit dhe vlerësimit”, ka thënë Kupina për ‘Kohën’.

Ekipi përgatitor, deri fundvitin e kaluar ka hartuar një akt normativ, i cili përmban dispozita për mënyrën e funksionimit të komisionit pas themelimit të tij. Pjesë e këtij ekipi nga shoqëria civile ka qenë edhe hulumtuesja e drejtësisë transcionale Nora Ahmetaj.

“Unë mundem vetëm të them që në fushën e ballafaqimit me të kaluarën është pak e rrezikshme të bëhen eksperimente të tipit ashtu siç kanë ndodhur në Kosovë që 22 vjet gati, ku secila administratë fillon nga zeroja me ide të reja me u marrë me të kaluarën”, ka thënë Ahmetaj.

Komisioni, sipas Ahmetajt, do të ndihmonte sidomos në zgjidhjen e shumë pikëpyetjeve që kanë të bëjnë me personat e zhdukur gjatë luftës.

“Themelimi i këtij komisioni kishte me qenë ombrellë e shumë aktiviteteve të tjera të cilat do të derivonin ndoshta dhe me ardhë deri te gjetja e pikëpyetjeve të mëdha që na kanë brengosur tash 22 vjet jo vetëm te përafrimi i dy narrativave mes shqiptarëve dhe serbëve në radhë të parë, por edhe të komuniteteve të tjera brenda Kosovës”, shton Ahmetaj. /Insajderi.com