Presidenti e cilëson “akt kriminal” sulmin ndaj drejtorit të Insajderit

Presidenti e cilëson “akt kriminal” sulmin ndaj drejtorit të Insajderit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar “akt kriminal” dhe “të patolerueshëm” sulmin ndaj drejtorit të Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri.

Përmes një shkrimi në Facebook, presidenti Thaçi ka deklaruar se “sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë”.

Thaçi u ka uruar shërim të shpejtë Ollurit dhe bashkëshortes së tij, e cila është alivanosur në momentin e sulmit ndaj drejtorit të Insajderit.

“Parimit dhe bashkëshortes së tij uroj shërim të shpejtë, derisa nga organet kompetente kërkoj veprime të vendosura dhe të shpejta, në mënyrë që sulmuesit të dalin para drejtësisë”, shkruan ndër tjerash Thaci.

Sipas presidentit Thaçi, aktet e tilla kriminale nuk duhet t’i dekurajojnë gazetarët.

Parim Olluri, është sulmuar fizikisht nga disa persona të mërkurën. Sulmi ndaj tij ka ndodhur në rrugën Bajram Kelmendi në Prishtinë, afër banesës së tij, rreth orës 22:00.

Ai ka pësuar lëndime të lehta trupore, por aktualisht është në gjendje të mirë. /Insajderi.com