Presidenti fton qytetarët të dalin të votojnë

Presidenti fton qytetarët të dalin të votojnë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë vote, të dalin nesër të votojnë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

“Nesër mbahen zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje janë mundësi tjetër për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe kanë efekt të drejtpërdrejtë për të gjithë ne. Prandaj, si president i juaji, me lejoni t’ju thërras që të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar. Vota e juaj është thelbi i demokracisë, e cila përcakton se në çfarë drejtimi do të shkojë vendi ynë”.

“Nesër, të gjithë ju që keni të drejtën e votës, dilni dhe votoni për të ardhmen tuaj, votoni për familjet tuaja, votoni për konsolidimin e shtetit dhe votoni për të ardhmen euroatlantike të vendit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi më tutje ka falënderuar KQZ-në, Policinë e Kosovës, OSBE-në dhe institucionet e tjera të cilat janë angazhuar të garantojnë një proces elektoral të drejt.

“Falënderoj edhe njëherë të gjitha institucionet, KQZ-në, Policinë e Kosovës, OSBE-në, mediet, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE-ja dhe nga PE-ja, ambasadat e shumta që janë angazhuar të garantojnë një proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.

Më poshtë mund ta ndiqni videon e mesazhin e kreut të shtetit të datës 31 maj të cilin e ka rikthyer./Insajderi.com