Presidenti i gatshëm t’i amnistojë dhunuesit e viktimave seksuale

Presidenti i gatshëm t’i amnistojë dhunuesit e viktimave seksuale

Në besimet që janë duke u zhvilluar në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq në konakun e Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini po flitet që pjesë e marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një amnisti për periudhën e luftës në Kosovë.

Ani pse presidenti i vendit Hashim Thaçi para dy vite kishte thënë se do të ngreh padi ndaj shtetit të Serbisë për krime lufte dhe gjenocide është duke shprehur gatishmëri për amnisti.

Mirëpo këtë gatishmëri të presidentit Thaçi, Feride Rushiti, drejtoresh ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave është duke e parë si shkelje të të drejtave të njeriut.

Rushiti ka thënë për Gazetën Insajderi se krimet e luftës që janë bërë asnjëherë nuk parashkruhen e sidomos krimet dhunës seksuale. Madje ajo thotë se viktimat e dhunës seksuale nuk mund të arrijnë paqe shpirtërore edhe nëse gjyqësia mund të arrijë ndonjë rezultat.

“Unë mendoj që ligjërisht krimet e luftës asnjëherë nuk parashkruhen nuk ju hup afati kohor me konventa ndërkombëtare edhe me ligje vendore e aq ma shumë për krimet e viktimave të dhunës seksuale sepse një viktimë nuk mundet me gjet paqe shpirtërore, as gjyqësia nuk ka me pru paqe në çoftë se dhunuesit nuk e marrin dënimin e merituar”, ka thënë Rushiti për Insajderin.

Ndërsa për Drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se kjo gatishmëri e Thaçit mund të hapë konflikte të reja dhe dhunë mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, ai thotë se kërcënimet e Thaçit për padi ndaj Serbisë ka qenë vetëm politikë e brendshme e tij.

“Çdo kush që i ka përcjell deklarimet e KMDLNj-së ne kemi deklaruar se kërcënimet e politikanëve edhe në këtë rast të Thaçit kanë qenë vetëm për konsum të brendshëm kanë pasur qëllimin puro politike dhe askush që është njohës i rrethanave nuk ka besuar se një gjë e tillë do të ngjajë”, ka thënë Shala, për Insajderin.

Deri tash më shumë se 550 persona krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhuns seksuale  kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore.

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar tërthorazi se mund të ketë amnisti. Në një përgjigje për gazetën “Koha Ditore” zyra e presidencës ka thënë se amnistia dhe pajtimi mund të jenë dy çështje të veçanta që do të diskutohen në takim.

“Sigurisht që në rast se do të ketë marrëveshje, atëherë ajo marrëveshje do të përmbajë edhe mjaft çështje të tjera, respektivisht protokolle të veçanta. Amnistia dhe pajtimi, mund të jetë një nga këto çështjet të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Presidencës.

Mirëpo presidenca ka shtuar se “në rast se do të ketë marrëveshje për amnisti ndërmjet dy shteteve, kjo amnisti duhet të jetë e përshkallëzuar, mund të përfshijë vetëm krimet apo veprat penale të caktuara”.

“Kosova respekton në tërësi konventat ndërkombëtare dhe të drejtat ndërkombëtare, amnistia mund të jetë e pranueshme vetëm për një numër të caktuar të veprave pena”, ka thënë zyra e presidencës.

Po ashtu edhe zyra e përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Me dhjetëra herë Hashim Thaçi apo siç ishte i njohur në luftë me nofkën ‘gjarpri’ kishte kërcënuar Serbinë se do të paditët për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë, por ky kërcënim nuk është realizuar madje ai tash po paralajmëron se mund të ketë amnisti për Serbinë.

Kishte qenë jo më larg se marsi i vitit të kaluar kur Thaçi kishte paralajmëruar se Serbia do të paditët nga Kosovë për gjenocid herët apo vonë.

“Kosova do të ngre padi për gjenocid të Serbisë të kryer në Kosovë, herët apo vonë”, ka thënë Thaçi. /Insajderi.com