Presidenti i Malit të Zi: Koha është për ndryshime

Presidenti i Malit të Zi: Koha është për ndryshime

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në këtë vend, Partia Demokratike e Socialistëve, vlerëson se është koha për ndryshime dhe se “duhet përpiqur për një shumicë më të gjerë për të thyer më lehtë rezistencën që çdo qeveri dhe politikë has kur dëshiron të emancipojë shoqërinë”, transmeton Insajderi.com.

Ai u shpreh i gatshëm për një shumicë të gjerë dhe të fuqishme pro-evropiane, duke thënë se “është shumë e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të tregojmë gatishmëri për të zgjeruar kapacitetet tona të koalicionit, për të krijuar kushte për krijimin e shumicës më të gjerë dhe më të fuqishme pro-evropiane në Mal të Zi”.

Sipas Gjukanoviq, mazhoranca aktuale në pushtet dëshiron ta kthejë Malin e Zi “dekada, ndoshta edhe shekuj prapa”.

Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar pas 30 vitesh, PDS dhe partnerët e saj të koalicionit kaluan në opozitë, me një deputet më pak se koalicioni i tanishëm tre anëtarësh i kryesuar nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, që mbështesin qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq. /Insajderi.com