Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, transmeton Insajderi.
Këtë thirrje Sassoli e bëri duke deklaruar se zgjerimi i BE-së do të ishte më pozitiv për paqen dhe prosperitetin, shkruan ‘RadioFreeLiberty’.
“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si në rajon dhe në Evropë, duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të prosperuar dhe paqësor”, ka thënë Sassoli në një intervistë për mediumin ‘Funke Mediengruppe’.
BE tashmë po kryen bisedime pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë.
Maqedonia e Veriut muajin e kaluar mori mbështetjen e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë për të filluar bisedimet me BE.
Bosnje-Hercegovina dhe Kosova deri më tani janë konsideruar kandidate të mundshme për negociata.
Bullgaria vitin e kaluar vuri veton në fillimin e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje mbi gjuhën dhe historinë.
Bullgaria, e cila dëshiron që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë Bullgare, muajin e kaluar tha se nuk kishte në plan të heqë veton e saj në bisedimet e pranimit.
Shkupi ka këmbëngulur prej kohësh që maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që formon pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit, ndërsa Sofja thotë se maqedonishtja është një dialekt rajonal i bullgarishtes. /Insajderi.com