Presidenti i Serbisë të dielën te Angela Merkel

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq të dielën udhëton për Berlin, ku është paraparë takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel. Pritet se ai do të përsërisë qëndrimin se nuk do të heqë dorë nga bllokimi i bisedimeve me Kosovën nëse Kosova nuk i heqë taksat ndaj prodhimeve serbe.

Presidenti i Serbisë të dielën te Angela Merkel

Vazhdimi i dialogut me Kosovën nuk është i mundur derisa nuk hiqen plotësisht taksat ndaj prodhimeve të Serbisë. Gjithashtu, pretendon gazeta serbe “Novosti”, se nuk do të jetë kontestuese që Beogradi ta suspendojë aksionin e ç’njohjeve të Kosovës por me kusht që “në momentin e njëjtë edhe autoritetet kosovare të vendosin moratorium në kërkesa që Kosova të pranohet nëpër organizata ndërkombëtare”.

“Pritet që këto qëndrime Vuçiq t’i kumtojë kancelares Angela Merkel”, pretendon gazeta, dhe vazhdon se “Vuçiq shkon në Berlin në situatën kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti për politikën e tij të mbajtjes së taksave ka mbështetje të madhe pikërisht në Berlin, si dhe në Paris”.

Është e njohur se Gjermania është kundërshtarja më e madhe e idesë së korrigjimit të kufijve si “zgjidhje përfundimtare të problemit me Kosovën, por nuk është e qartë se cila është pozita e tyre sa i përket vazhdimit të dialogut dhe krijimit të parakushteve që ai të vazhdojë”, pretendon Novosti./Insajderi.com.