Bashkimi Evropian ka nevojë për një seli ushtarake, për të pasur mundësi të punojë drejt një force të përbashkët ushtarake. Kështu ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker përpara europarlamentarëve në Strasburg.
Ai tha se mungesa e një “strukture të përhershme” rezulton në shpërdorimin e parave në misione të shumta.
Një pjesë e mirë e fjalimit të përvitshëm mbi gjendjen e Bashkimit Evropian iu dedikua votës së papritur të Britanisë së Madhe për daljen nga BE-ja.Ai këmbënguli se blloku nuk është në rrezik, ndërkohë që bëri thirrje që negociatat për “Brexit”-in të fillojnë e të mbarojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ishte pikërisht rezultati i referendumit, ai që nxiti më shumë shtysën për të planifikuar një bashkëpunim më të gjerë në fushën e mbrojtjes, sepse Britania ka kundërshtuar gjithmonë potencialin e një konflikti interesash me NATO-n, njofton tch. Por Juncker tha se një forcë e përbashkët ushtarake “do të ishte plotësuese e NATO-s”.
“Më shumë mbrojtje në Evropë nuk do të thotë më pak solidaritet transatlantik”.
Sipas tij, një fond i përbashkët për mbrojtjen evropiane do të stimulonte kërkime ushtarake dhe zhvillime më të mira.