Presidenti kritikon sistemin e arsimit me të cilin krenohej sa ishte kryeministër

Presidenti kritikon sistemin e arsimit me të cilin krenohej sa ishte kryeministër

Hiq më larg se me 31 gusht të vitit 2014 kur Hashim Thaçi ishte ende kryeministër, kishte bërë një urim për nxënësit kosovar duke thënë se po fillonte një vit me “përkushtim për rezultate sa më të mira”.

Madje kishte thënë se edhe në këtë vit shkollor do të shënohen “të arritura me të cilat do të krenohemi si shoqëri e dijes dhe aftësimit të brezit të ri për të qenë konkurrentë në tregun e dijes dhe përgatitjes profesionale”.

Por tash kur Thaçi është president, ka ndërruar qëndrim.

Duke komentuar rezultatet, PISA-s, Programi për Vlerësimin e Nxënësve që kryhet çdo tre vite, duke testuar dijen e 15 vjeçarëve, që e nxorën Kosovën në tre vendet e fundit, Thaçi ka thënë se “rezultatet e PISA-s dhe mangësitë e identifikuara në sistemin tonë arsimor duhet t’i marrim me seriozitetin më të madh”.

“Është e vërtetë që arsimi në Kosovë ka pësuar diskriminim dhe shkatërrim shumë gjatë. Pas luftës, urgjente ishte të ndërtojmë shkolla dhe ta përmirësojmë infrastrukturën e përgjithshme edukativo-arsimore”, ka shkruar presidenti në Facebook.

Madje sipas tij në Kosovë duhet me urgjencë që të rritet kualiteti i mësimit.

“Por, tash urgjencë është përmirësimi në të gjitha nivelet i kualitetit të arsimit në Kosovë. Fëmijët tanë duhet t’i përgatisim, t’i bëjmë më të shkathtë dhe më konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nga tërë bota”, ka shkruar Thaçi.

Përkushtimi i Thaçit ndaj arsimit ka lidhje qysh në fillimet e tija si kryeministër. Në shtator të vitit 2008, Thaçi kishte thënë se Qeveria e tij mbetej e “përkushtuar që arsimin ta ketë prioritet kombëtar”.

Atë vit Thaçi kishte thënë se “me ndryshimet që janë bërë me rritjen e pagave për mësimdhënësit dhe shpërndarjen falas të teksteve garantohet kujdes i shtuar i Qeverisë ndaj arsimit dhe edukimit”.

E në janar të para dy viteve, kur PDK-ja po bënte vitin e 7 të qeverisjes së vendit, Thaçi kishte thënë se janë bërë “reforma në sistemin e edukimit dhe përmirësimin e infrastrukturës së arsimit në tërë Kosovën, me ndërtimin e mbi 100 shkollave”./Insajderi.com