Presidenti kroat: Nuk mund të ofroj garanci për Thaçin

Presidenti kroat: Nuk mund të ofroj garanci për Thaçin

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka demantuar shkrimet në media, se ai i ka ofruar garanci Hagës për t’i mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit që të mbrohet në liri, përcjell Insajderi.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk është në kompetencat e tij dhe është e pamundur të jap garanci.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak, transmeton REL.

I pari i Kroacisë ka thënë se aktakuza kundër Thaçit është shumë e dëmshme dhe se sipas tij, ai duhet të gjykohet në liri, pasi që shumë njerëz nga Beogradi kalojnë të paprekur.

“Tani dikush në çarshinë e Beogradit ndoshta do të ma zë për të madhe, por unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë lehtë (të paprekur)”, tha Milanoviq.

Presidenti kroat është i bindur se Thaçi mund të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikim të organeve.

“Në këtë kuptim, konsideroj që kjo është dëmtuese, por nuk kam ofruar kurrfarë garancish – jo, dhe as që mundem ta bëj këtë. Kjo, thjeshtë është e pamundur. Edhe po të kisha thënë kështu, unë e kam të pamundur ta bëj këtë”, ka thënë Millanoviq.

Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit./Insajderi.com