Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të bëjë dekretimin e 34 gjyqtarëve nga radhët e komunitetit serb, të propozuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që nga muaji gusht i vitit 2015, kanë bërë të ditur zyrtarë të Presidencës.
Zyra për media e presidentit Hashim Thaçi tha se propozimet nga Këshilli Gjyqësor, që janë pranuar përpara një viti, në periudhën para zgjedhjes së Thaçit për president, nuk janë proceduar, pasi, siç thonë ata, kanë kaluar afatet ligjore për emërimin e tyre.
“Pasi që nuk është ndërmarrë ndonjë veprim as nga Zyra e Presidentit, e as nga ana e KGJK e KPK, Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, pranë Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ka rekomanduar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të bëjë ripropozimin e gjyqtarëve nga komuniteti jo shumicë në Republikën e Kosovës, duke sjell propozimet e kompletuara, me të dhëna të sakta për gjyqtarët e propozuar për emërim”, thuhet, veç tjerash, në përgjigjen me shkrim nga presidenca për Radion Evropa e Lirë.
Presidenca po ashtu ka rekomanduar që edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës të bëjë ripropozimin edhe të prokurorëve nga komuniteti jo shumicë në Republikën e Kosovës, duke sjellë propozimet e kompletuara me të dhëna të sakta për prokurorët e propozuar për emërim.
Në ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thuhet se “Nëse Presidenti i Kosovës refuzon të emërojë apo riemërojë cilindo kandidat, Presidenti siguron brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ditor arsyet e refuzimit të tij ndaj Këshillit. Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e refuzuar para Presidentit së bashku me arsyetimin në formë të shkruar, ose Këshilli mund të propozojë një kandidat tjetër”.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se pas rekomandimit nga presidenca, ridërgimi i emrave të propozuar do të bëhet pas përzgjedhjes së 14 kandidatëve të tjerë, krahas 34 që janë përzgjedhur nga konkurset.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se Këshilli aktualisht është në fazën finale të përfundimit të intervistimit të kandidatëve që kanë konkurruar për gjyqtarë.
“Në momenti që do të dorëzohen edhe 14 propozime në Këshillin Gjyqësor nga komisioni, ne do ta përsërisim kërkesën te presidenti edhe për propozimet që i kemi dërguar vitin e kaluar në presidencë. Është e vërtetë që ka kaluar një kohë më e gjatë pa u dekretuar gjyqtarët, kështu që edhe na mbetet të përsëritet kërkesa. Tash do ta dërgojmë kërkesën komplet për 48 propozime”, tha Idrizi.
Pavarësisht kësaj, kryesuesi i Këshillit tha se procedurat për dërgimin e emrave dhe dekretimi i gjyqtarëve nuk do të zgjasin dhe ai beson se puna e Gjykatës Themelore në veri Kosovës do të nis në muajin e ardhshëm.
“Procedurat nuk marrin kohë, sepse ata e kanë kaluar procesin e verifikimit dhe intervistimit. Po shpresojmë që do të jetë gjithçka në rregull, nëse nuk do dal diçka e papritur. Po shpresojmë që në muajin tetor ta përfundojmë ketë proces”, tha Idrizi.
Me marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është paraparë që një Gjykatë Themelore dhe një Prokurori Themelore të funksionojnë për rajonin e Mitrovicës.
Lëndët penale do të shqyrtoheshin në veri, kurse ato civile në jug të qytetit. Kryetari i Gjykatës do të jetë serb, kurse kryeprokurori shqiptar.